Emisioni investigativ “Tak Fak” në News24 ka trajtuar historinë e Kujtim Marës, banor i Rrashbullit, i cili prej 30 vitesh jeton në Itali.
Në vitin 2025, Mara vendosi të shesë një sipërfaqe prej 13 mijë metrash katrorë tokë, të cilën e zotëron me certifikatë pronësie. Por gjatë përgatitjes së dokumenteve, ai zbuloi se prona ishte zaptuar nga dy persona, të afërm të fisit të tij.
Njëri prej tyre ka zënë rreth 800 metra katrorë, ku ka ndërtuar një banesë, ndërsa tjetri ka hapur një rrugë që të çon drejt biznesit të tij, duke përdorur një pjesë të tokës pa lejen e pronarit.
Mara iu drejtua një sërë institucionesh, përfshirë Bashkinë, IMT-në, IKMT-në, Policinë, ASHK-në dhe madje edhe SPAK-un, por sipas tij, nuk mori asnjë përgjigje konkrete.
Pas interesimit të vazhdueshëm, IKMT i ka dërguar një kërkesë IMT-së së Durrësit për të marrë informacion nga ASHK lidhur me procesin e legalizimit që dy personat kishin nisur që në vitin 2018. Megjithatë, për më shumë se një vit, ASHK nuk ka kthyer përgjigje ndaj kësaj kërkese.
Ndërkohë, gjendja e Kujtim Marës është rënduar edhe nga problemet shëndetësore, teksa ai vijon të kërkojë zgjidhje për pronën e tij.
“Tak Fak” e ka shoqëruar atë pranë IMT-së së Durrësit, ku është bërë një tjetër kërkesë zyrtare. Dy javë më pas, gazetari i emisionit “TakFak” ka takuar kryeinspektorin e IMT-së, Igli Ngresi, i cili është shprehur i habitur për mungesën e përgjigjes nga ASHK, ndërkohë që në raste të tjera përgjigjet vijnë normalisht.
Ngresi ka premtuar se do ta ndjekë personalisht çështjen, duke dhënë shpresë për një zgjidhje të mundshme pas një kalvari të gjatë burokratik për pronarin.


