Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi për rishikimin e masës së arrestit në burg. Ish vartësi i ish ministres së Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku do të mbetet në qeli.
Ndërkohë, sa i përket pretendimeve të tjera të Berberit, lidhur me papërdorshmërinë e provave nga celulari i tij, nuk janë marrë parasysh nga Kushtetuesja. Sipas gjykatës, ai duhet t’i drejtohet Shkallës së Parë.
Kujtojmë që Evis Berberi u arrestua më 14 mars 2024, në akuzë për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Berberi rezulton i përfshirë në raste korruptive me 8 tendera që kapin vlerën e 5 milionë eurove.
SPAK ka dyshime se Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro që janë fituar nga kompania DAAM që drejtohej nga Valter Begaj, por që defakto sipas Prokurorisë, kompania zotërohej prej Berberit. Po kështu, SPAK dyshon se në kohën që Berberi drejtonte ARRSH, e njëjta kompani ka fituar tre tendera të tjerë më vlerë rreth 1 milionë euro.
Hetimet e prokurorisë zbuluan gjithashtu se kjo kompani është përdorur për kalimin drejt saj të sasive të mëdha të parave, nga kompania tjetër, “Net Group”, e sipërmarrësit Begaj, përmes transaksioneve të ndryshme.
Paratë e kaluara në favor të kompanisë “Daam”, janë përdorur për të blerë prona të patundshme në emër të kësaj shoqërie. Këto veprime kanë ngritur dyshime për Prokurorët, se gjenden përballë një veprimtarie të pastrimit të parave.
Transaksionet nga “Net Group” drejt shoqërisë “Daam”, në zotërim indirekt nga Berberi, përkojnë, sipas hetimeve, me kohën kur shoqëria “Net Group” rezultoi fituese e disa tenderave të të shpallur nga Agjencia për Efiçencën e energjisë dhe Autoritetit Rrugor, nën drejtimin e zotit Berberi.


