Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me debatet dhe ato që ato që ai i quan keqinformime rreth projektit të rijetëzimit të zonës historike të Durrësit, duke theksuar se realizimi i tij është strategjik për të ardhmen e qytetit të vjetër dhe për zhvillimin e tij si destinacion turistik mesdhetar.
Rama shprehet se Zona Arkeologjike A, ku do të zhvillohet projekti, nuk është një hapësirë urbane e zakonshme, por pronë e thesarit të trashëgimisë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore.
Ai përmend monumente si Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin dhe Termat Romake, të cilat sipas tij përfaqësojnë qytetërimin europian dhe jo thjesht monumente kombëtare. Kryeministri thekson se përfshirja e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e bën projektin një detyrim ndërkombëtar.
“Projekti i rijetëzimit të zemrës historike të Durrësit po shoqërohet me keqinterpretime dhe keqinformime që nuk kanë të sosur, ndërkohë që realizimi i tij është me natyrë strategjike për të ardhmen e qytetit të vjetër mesdhetar dhe të Shqipërisë Europiane si një destinacion i rëndësishëm turistik në Mesdhe.
Zona Arkeologjike A ku do të marrë jetë projekti, nuk është një hapësirë e zakonshme urbane dhe çdo debat pronash mbi atë zonë nuk duhet të dalë nga korniza e faktit themelor: Ajo zonë është pronë e thesarit të trashëgimisë sonë kombëtare dhe pjesë e trashëgimisë botërore. Amfiteatri Romak, Forumi Bizantin, Termat Romake janë monumente të qytetërimit europian, jo thjesht monumente të regjistrit tonë kombëtar të trashëgimisë. Objektivi për hyrjen e kësaj zone në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s e çon këtë projekt përtej dimensionit kombëtar. E bën një detyrim ndërkombëtar.
Ky projekt nuk ka lindur sot as ka marrë formë në errësirë, po është mbështetur mbi një program të kahershëm të kësaj qeverie për atë zonë, si edhe një Plan të Menaxhimit të Integruar, hartuar nga Ministria e Kulturës dhe hedhur në konsultim publik në vitin 2022. Ligji për Trashëgiminë Kulturore e detyron shtetin të ndërhyjë kundër degradimit apo ndërtimeve informale në zonat e trashëgimisë kulturore. Pikërisht këtë ne po bëjmë”, shprehet Rama në podkastin “Flasim”.
Kryeministri thekson se shpronësimet janë një praktikë e zakonshme ndërkombëtare për ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë. Ai sjell shembujt e Romës, ku mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale, dhe të Athinës, ku u kryen shpronësime masive rreth Akropolit për krijimin e parkut arkeologjik.
“Historia ndërkombëtare tregon se asnjë vend nuk ka zbuluar, nuk ka konservuar dhe nxjerrë në pah trashëgimi të këtyre përmasave pa ndërmarrë shpronësime. Në Romë, mijëra e mijëra prona u shpronësuan për hapjen e Forumeve Imperiale. Në Athinë, u realizuan shpronësime masive për zonën përreth Akropolit dhe krijimin e parkut arkeologjik. Ne do të bëjmë pikërisht këtë, me ndjeshmëri e me drejtësi ndaj banorëve, po me vendosmëri ndaj interesit kombëtar”, deklaroi kryeministri.


