Gazetarja Klodiana Lala deklaroi mbrëmjen e së martës në emisionin “Log.” në News24 se dosja “Babale”, për të cilën u dënua me burg Ervin Salianji, nuk është hetuar siç duhet, dhe se e gjithë ngjarja është trajtuar në mënyrë të njëanshme.
Sipas saj, nëse hetimi do të kishte qenë i plotë dhe pa ndikime, Salianji nuk do të kishte përfunduar në burg.
“Nëse kjo histori do të ishte hetuar siç duhej, jo vetëm si politikan, por si qytetar, Salianji nuk duhej të shkonte fare në burg,” – tha Lala.
Ajo ngriti dyshime të forta për mënyrën se si është menaxhuar dosja, duke kujtuar faktin që në atë kohë ministri i Brendshëm duhej të kishte dhënë dorëheqjen dhe policia të vepronte e pavarur. Në vend të kësaj, shtoi Lala, policia “bënte taksistin e Albert Veliut” – personazhit kyç të çështjes “Babale”.
Në lidhje me qëndrimin e Salianjit në burg, Lala tregoi se ai ndante qelinë me disa prej drejtorëve të dosjes 5D, dhe madje, një prej tyre, që ishte i apasionuar pas gatimit, gatuante edhe për Salianjin.
“Ishte një ironi e rëndë e fatit: të ndaje qelinë me drejtorët e dosjes 5D dhe të hash ushqimin e tyre, ndërkohë që vetë ke përfunduar në burg për një çështje që lidhet me ta,” tha gazetarja.
Ajo theksoi se dosja është lënë me shumë pikëpyetje: nga roli i SHISH-it, deri te mungesa e përgjegjësisë institucionale për ata që realisht ishin në pushtet në atë kohë.
Klodiana Lala:Nëse do ishte hetuar siç duhej e gjithë historia, jo Salianji si politikan, por Salianji nuk duhet të kishte shkuar fare në burg…. Në vend që ministri i brendshëm i kohës të jepte dorëheqjen dhe policia të vepronte pa ndikimin e shefit të tij, policia bënte taksistin e Albert Veliut. “Babalja” mbetej pa para dhe telefononte drejtorin e policisë. Ne nuk kuptuam se kush ishte personi në SHISH i implikuar në këtë çështje.
Pjesë nga diskutimi në studio mes Klodiana Lalës dhe avokatit të Salianjit, Redi Ramaj
Klodiana Lala: Kur thotë zoti Salianji regjim, në fakt zoti Salianji, avokati mund të na e konfirmojë ka qenë në një qeli me drejtorët e dosjes së bujshme 5 D. Madje kur unë e kam takuar zotin Salianji në 11 Maj se në hymë në burgun e Fierit për të ndjekur nga afër procesin e votimit, aty mësuam për shembull që drejtorët e 5D duke qenë se njëri ishte i apasionuar për gatimin , i gatuante dhe zotit Salianji. Pra po sjell disa grimca që nuk janë parë.
Redi Ramaj: Kjo nuk e ndryshon regjimin, regjimi mbetet regjim.
Klodiana Lala: Më ler ta mbaroj fjalën o burrë. Unë e shikoj pa emocione zoti Ramaj, e shikoj ndryshe nga ju.
Redi Ramaj: Dhe unë e shoh pa emocione, e shikoj si avokat.
Klodiana Lala: Është fakt kjo që thashë. Dosja Babale është dosje e pa hetuar. Nëse do ishte hetuar siç duhej e gjithë historia, jo Salianji si politikan, por Salianji nuk duhet të kishte shkuar fare në burg.