Emalinda Rama dhe nëna e saj, Valbona Rama, të akuzuara për vrasjen e 56-vjeçarit Anesti Rama në Patos, kanë mohuar sot në Gjykatën e Fierit përfshirjen në krim, duke deklaruar se e kanë gjetur viktimën të vdekur në banesë.
“Nuk dimë kush e ka vrarë. Ne thjesht e kemi gjetur të vdekur,” – thanë nënë e bijë para trupës gjykuese.
Por, sipas avokatit të tyre, deklarimet e dhëna sot bien ndesh me ato gjatë hetimeve:
“Thëniet janë kontradiktore me ato që kanë deklaruar më herët. Kemi kërkuar shtrim në spital psikiatrik për shkak të çekuilibrit që kanë treguar këto pesë ditë, duke ndryshuar disa herë versionin e ngjarjes.”
Në lidhje me marrëdhënien me Çlirim Doganin, 55-vjeçarin e arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje, Emalinda Rama ka ndryshuar disa herë qëndrim.
Avokati sqaroi se versioni i fundit i saj është se ka kryer marrëdhënie me të një vit më parë, por nuk ka pasur lidhje të vazhdueshme.
Vetë Dogani, nga ana tjetër, ka deklaruar se nuk i njihte personalisht Emalindën dhe Valbonën, por i kishte takuar rastësisht si pasagjere në autobus, gjatë linjës Arapaj–Fier.
Sipas hetimeve, viktima është goditur dhe mbytur me tel, ndërsa krimi dyshohet se është kryer për motive familjare. Prokuroria vijon hetimet për të vërtetuar dinamikën dhe përfshirjen e secilit nga tre të arrestuarit.