Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Angli, ku 22-vjeçari Lorik Abazi u qëllua me thikë dhe humbi jetën ditën e diel.
Sipas mediave britanike, policia arrestoi tre persona si të dyshuar, dy vajza 25-vjeçare dhe një djalë 28-vjeç. Njëra prej vajzave është lënë e lirë me kusht.
Ngjarja ka ndodhur në Croydon, ndërsa dy të rinj të tjerë, 21 vjeç, u gjetën me plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Njëri prej tyre ka lëndime që mund të jenë kërcënuese për jetën dhe mbetet në spital, ndërsa tjetri është marrë në paraburgim pas lirimit nga spitali.
Autoritetet britanike nuk kanë dhënë ende detaje të plota për rrethanat e ngjarjes, por kanë bërë thirrje që kushdo që ka informacion, pamje apo video që mund të ndihmojnë në hetim t’i dorëzojë policisë.
Ngjarja vijon të hetohet nga autoritetet lokale.


