Një 25-vjeçar shqiptar dhe një 31-vjeçare letoneze janë arrestuar në Angli, pasi akuzohen se kanë vrarë një person me thikë jashtë një banese në Augustine Road.
Sipas raportimeve nga mediat britanike, Shahim Bulica, 25 vjeç nga Shqipëria, dhe Erika Korska, 31 vjeç nga Letonia, janë arrestuar pas një incidenti të dhunshëm që ndodhi jashtë një shtëpie në rrugën Augustine Road.
Policia e Kent bëri me dije se është njoftuar për një sherr fizik në atë zonë, ku një burrë rreth 30 vjeç u gjet i plagosur rëndë me thikë. Ai u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë pak orë më vonë.
Të dy të dyshuarit u arrestuan menjëherë pas ngjarjes dhe tashmë janë zyrtarisht të akuzuar për vrasje.
Ata ndodhen në paraburgim dhe do të paraqiten javën e ardhshme në Gjykatën Medway Magistrates për seancën e parë gjyqësore.
Policia nuk ka dhënë ende detaje mbi motivin e konfliktit apo marrëdhënien mes viktimës dhe të dyshuarve, por hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.