Policia e Tiranës ka finalizuar fazën e shtatë të operacionit të koduar “Relay”, duke vënë në pranga një 35-vjeçare të dyshuar për trafikim të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në pranga u vu shtetasja Elsona Çoba, 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë. Ajo u kap në flagrancë në afërsi të Lezhës, teksa transportonte me automjetin e saj tip “BMW” pesë emigrantë, të cilët dyshohet se i kishte marrë në Vorë.
Sipas hetimeve paraprake, 35-vjeçarja u kishte marrë secilit prej emigrantëve nga 2 500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në mënyrë të paligjshme drejt Italisë. Automjeti i përdorur për transportin u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi
Tiranë/Finalizohet faza e shtatë e operacionit të koduar “Relay”.
Arrestohet një 35-vjeçare që transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.
35-vjeçarja, dyshohet se iu ka marrë emigrantëve, nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në Itali.
Sekuestrohet automjeti tip “BMW” me të cilin transportoheshin emigrantët.
Si rezultat i një informacioni të marrë për një shtetase e cila do të transportonte disa emigrantë, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me DVP Lezhë, finalizuan operacionin e koduar “Relay 7”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasja E. Ç., 35 vjeçe, banuese në Rrogozhinë.
35-vjeçarja u kap në flagrancë, në afërsi të Lezhës, teksa transportonte 5 emigrantë, të cilët i kishte marrë në Vorë.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se 35-vjeçarja iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


