Ka shkuar në dy numri i viktimave nga të shtënat me armë zjarri në një lokal pranë bashkisë në Shkodër.
Pas punonjësit i IKMT-së Armando Palit, i cili mbeti i vrarë në vendngjarje, ka humbur jetën në spital Geridon Kraja, i njohuri i Armando Palit dhe Erogen Vasos.
Mes të plagosurve është edhe Erogen Vaso alias Brajoviç, vëllai i të arrestuarit Denis Brajoviç dhe një kamariere.
Sipas burimeve, autori i dyshuar u arrestua në tentativë për të ikur në zonën periferike të njohur si “shinat e trenit” në Shkodër, ndërsa ende nuk dihet identiteti i tij.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm (8 Shtator) pranë shkollës “Kole Idromeno”, brenda një lokali duke shkaktuar panik tek klientët dhe qytetarët.
Kush është Denis Brajoviç:
Denis Bajri (Brajoviçit ), i cili u arrestua në shkurt të 2024, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ai u ekstradua nga Dubai drejt vendit tonë më 23 Korrik 2025.
Ndaj Brajoviçit ishte lëshuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku nga përgjimet e SKY, ai flet me mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Denis Brajoviç ka qenë subjekt i OFL-së, pasi u hetua për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.
Ai u arrestua si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër dhe më pas është liruar nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë rreth vitit 2019, duke u lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Denis Bajri Brajoviç dyshohet se autor i vrasjes së Gjon Ndojt (Boriçi), krimi ndodhur më 9 Gusht 2020 në Shkodër.
“Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër”, ka njoftuar policia në një njoftim të mëparshëm.
Lidhja me Pellumb Gjoken
Komunikimet në aplikacionin “SkyECC” të zbardhura nga autoritetet franceze zbuluan se vrasja e Gjin Boriçit ishte organizuar nga Behar Bajri, ndërsa në rolin e ekzekutorit ishte Denis Bajri.
Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.
Për këtë vrasje, biznesmeni Pëllumb Gjoka ishte ai që pajtoi Behar Bajrin dhe Behari ia la porosi Denisit, në këmbim më pas Gjoka kërkoi vrasjen e ish policit të burgut, Kleanth Musabelliu, i cili shpëtoi. Behar dhe Gjin Boriçi ishin miq në atë kohë dhe pas vrasjes i shkoi në varrim.