Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e Fushë-Arrëzit, ku një 50-vjeçar, punonjës i kompanisë ONE Telecommunications, është gjetur pa ndjenja në borë, pas një nate të kaluar në kushte ekstreme të motit.
Sipas burimeve, ai kishte qenë duke punuar për riparimin e një defekti në antenat e zonës së Midës, kur dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë, duke mbetur për orë të tëra i ekspozuar ndaj temperaturave shumë të ulëta.
50-vjeçari është konstatuar rastësisht në orët e para të mëngjesit nga efektivë të ushtrisë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë bërë të mundur transportimin e tij drejt spitalit.
Bëhet fjalë për shtetasin Lumturi Kamberi, i cili fillimisht u dërgua në Spitali i Traumës, ku mori ndihmën emergjente. Burime mjekësore bëjnë me dije se ai ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka humbur lëvizshmërinë në njërën këmbë.
Më pas, për trajtim më të specializuar, ai është transferuar në një spital privat.
Ndërkohë, për shkak të gjendjes së rënduar, policia nuk ka mundur ende ta marrë në pyetje. Lidhur me ngjarjen, kompania nuk ka reaguar publikisht, ndërsa hetimet po vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.


