Një 32-vjeçar është ekstraduar nga Greqia pasi kërkohej nga autoritetet shqiptare për plagosje.
Bëhet fjalë për shtetasin Ardit Miha, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e sigurisë arrest në burg për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje.
Ai akuzohet për një ngjarje të ndodhur më 6 tetor të vitit 2022, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur një tjetër me thikë disa herë në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Plagosi disa herë, me mjet prerës (thikë), një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lagjen “Plazh”, Durrës, ekstradohet nga Greqia, 32-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Athinë, u finalizua në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Greqia në Shqipëri, të shtetasit A. M., 32 vjeç, të lindur në Bulqizë.
32-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2024, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Shtetasi A. M. akuzohet se mbrëmjen e datës 06.10.2022, për motive të dobëta, ka plagosur disa herë, me mjet prerës (thikë), shtetasin B. F., në lagjen nr. 13, Durrës.


