Ish efektivi i policisë së Sarandës, Lavdosh Metaj, 41 vjeç, është plagosur orët e para të mëngjesit të sotëm (11 korrik).
Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 1 të Sarandës, në një hotel ku 41 vjeçari kishte parkuar automjetin e tij.
Pasi shkoi për ta marrë makinën, Metaj nuk kishte pranuar të kryente pagesën për parkingun, duke pasuar kështu në konflikt me rojen e natës.
Dyshohet se për shkak të këtij konflikti, ish-efektivi u sulmua nga roja i hotelit me mjet prerës (thikë).
Kujtojmë se Lavdosh Metaj, 41 vjeç, u arrestua më 12 qershor 2021 pas një operacioni të AMP-së për shpërndarje të lëndës narkotike të tipit kokainë në Sarandë, teksa 3 muaj më parë u lirua pasi përfitoi nga amnistia.
Në momentin e arrestimit në flagrancë, efektivit iu sekuestruan 11 doza kokainë, me peshë totale 5 gramë, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpi, iu gjetën edhe 165 gramë, lëndë narkotike, e të njëjtit lloj, kokainë, si dhe një peshore elektronike.
Një ish-efektiv i Forcave “Shqiponja” të Sarandës më 10 nëntor 2022 është dënuar me 5.4 vite burg nga Gjykata, pasi u shpall fajtor për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Suela Xhani, e cila e dënoi atë me 8 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi.