Pak pas mesnate, një 25-vjeçar ka mbetur i vrarë pasi u qëllua nga një efektiv policie. Ngjarja ndodhi në zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” rreth orës 01:45, ku shtetasi Klodian Rasha nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
Ndërkohë që të tjera detaje kanë dalë në dritë nga kjo ngjarje e rëndë.
Gazetarja Dorjana Bezat ka bërë të ditur se Rasha nuk kishte armë zjarri, por një send të fortë (drru) të cilën ia drejtoi policëve.
Një prej tyre iu kundërpërgjigj me armë, duke e plagosur për vdekje. Bezat raporton mes të tjerash se Rasha rezulton i dënuar më parë për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë në vitin 2016.
Policia njofton se 25 vjeçari ka humbur jetën në spital, ndërkohë që punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metëjshme.
Njoftimi i policisë:
Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, sherbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të Policisë për të ndaluar.
Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jeten në spital.
Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.
Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të metejshme.
Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.



