Identifikohet dhe ndalohet nga Komisariati nr. 6 autori që aksidentoi efektivin e policisë në rrugën “Thoma Koxhaj” në Tiranë. Bëhet fjalë për Ermal Muçollin, i cili u identifikua pas dëshmisë së pronares së mjetit, D. Muçolli.
Sipas policisë, fillimisht efektivi u afrua pranë makinës së Ermal Muçollit, e cila ishte e parkuar gabim për t’i vendosur gjobë. Muçolli nuk e ka pranuar këtë gjë dhe pasi kanë debatuar, i ka dhënë gaz makinës, duke dëmtuar në këmbë policin e Patrullës së Përgjithshme.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Më datë 21.04.2022, në rrugën “Thoma Koxhaj”, mjeti tip “Ford”, në pronësi të shtetases D. M., me drejtues ende të paidentifikuar, ka goditur punonjësin e Policisë Z. M., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme, dhe është larguar. Si pasojë punonjësi i Policisë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të mjetit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.



