Një 50-vjeçar është arrestuar nga Policia, pasi u kap me një armë zjarri automatike të fshehur në banesë. Operacioni u zhvillua në fshatin Dishat, Konispol, dhe është finalizuar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në kuadër të aksionit të koduar “Dishat”.
Në pranga ka rënë shtetasi Hadriatik Lame, 50 vjeç, banues në Dishat, i cili u kap në flagrancë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë automatike dhe një karikator me 15 fishekë.
Operacioni erdhi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe bën pjesë në aksionet e vazhdueshme të Policisë për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të rrjedhin nga përdorimi i armëve të paligjshme.
Njoftimi:
Konispol, Sarandë/Finalizohet me sukses nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, operacioni policor i koduar “Dishat”, goditet një rast armëmbajtjeje pa leje.
Mbante fshehur në banesë armë zjarri automatike, arrestohet në flagrancë 50-vjeçari.
Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike dhe 1 karikator me 15 fishekë.
Në vijim të punës së pandërprerë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale që mund të ndodhnin nga përdorimi i tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, konkretisht ato të stacionit të Policisë Konispol, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Dishat”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:
* H. L., 50 vjeç, banues në fshatin Dishat, Konispol.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatike dhe 1 karikator me 15 fishekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.