Një 21-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë pas një operacioni të koduar “Kryqëzimi”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 5. I riu u ndalua në flagrancë te kryqëzimi i Valiasit, ndërsa lëvizte me një automjet tip “Audi” dhe posedonte armë zjarri dhe sende të jashtëligjshme.
I arrestuari është Gerald Qordja, banues në Babrru. Gjatë kontrollit në automjet dhe më pas në banesën e tij, policia i gjeti:
• Një armë zjarri pushkë me municion,
• Një thikë,
• Një palë pranga false,
• Një kapuç për maskim.
Pamjet e arrestimit tregojnë momentin kur Qordja shtrihet në tokë nga policia dhe neutralizohet pa rezistencë.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse i riu është i përfshirë në ngjarje kriminale apo planifikonte ndonjë akt të dhunshëm.
Njoftimi:
Tiranë/Operacione të njëpasnjëshme, si rezultat i kontrolleve dhe punës informative, kundër armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Kryqëzimi”.
Arrestohet te kryqëzimi i Valiasit, një 21-vjeçar që posedonte armë zjarri me municion, armë të ftohtë, pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.
Sekuestrohen sendet e kundërligjshme.
Në vijim të punës intensive, për identifikimin e shtetasve që posedojnë armë dhe cenojnë rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin “Kryqëzimi”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi G. Q., 21 vjeç, banues në Babrru.
Ai u ndalua nga shërbimet e Policisë, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, te kryqëzimi i Valiasit.
Në vijim të veprimeve procedurale u kryen kontrolle në automjetin dhe në banesën e 21-vjeçarit, ku u gjetën 1 armë zjarri pushkë me municion, 1 armë e ftohtë (thikë), pranga si të Policisë dhe 1 kapuç për maskim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme