Një 37-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane në zonën e Perugias, pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme kokaine, me vlerë mbi 2.5 milionë euro.
Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë shtetasi Antik Ferko, banues në Spello, i dyshuar si pjesë e një rrjeti të gjerë trafiku të drogës që operon në rajonin e Umbrias.
Sipas “Guardia di Finanza”, në makinën e tij u gjetën 24.7 kilogramë kokainë, të ndara në 10 pako dhe të fshehura në ndarje të dyfishta nën dyshemenë e pasme të automjetit. Ndarjet ishin të pajisura me një mekanizëm të sofistikuar për të shmangur zbulimin gjatë kontrolleve. Bashkë me drogën, u sekuestruan edhe rreth 55 mijë euro cash, një armë zjarri e vjedhur dhe pajisje telefonike të koduara.
Kontrolle të imtësishme u ushtruan edhe në banesën e Ferkos dhe në shtëpinë e prindërve të tij në Foligno. Në dhomën e gjumit të prindërve u gjet një tjetër sasi kokaine, një peshore precize, një pistoletë “Beretta” kalibër 6.35, tre telefona, gjashtë karta SIM dhe 27 mijë euro të tjera në para të gatshme.
Gjykatësi për hetimet paraprake në Spoleto, Luca Cercola, konfirmoi arrestimin dhe vendosi për Ferkon masën e arrestit shtëpiak me byzylyk elektronik. Sipas gjykatësit, ekzistojnë prova të mjaftueshme për përfshirjen e tij në shpërndarjen e drogës dhe mungesa e një shpjegimi të besueshëm për shumën e madhe të parave, nënvizon dyshimet për ekzistencën e një organizate të strukturuar që operon në trafikun e lëndëve narkotike në Umbri, veçanërisht në zonat Spello, Foligno dhe rrethinën e Perugias.
Vetë i arrestuari ka pranuar pjesërisht përfshirjen në aktivitetin kriminal dhe është shprehur i “penduar” përpara prokurorit, por ka zgjedhur të mos përgjigjet gjatë marrjes në pyetje.