Një 47-vjeçar është arrestuar nga policia në Korçë, pasi ka shantazuar për tre vite një shtetas grek se do i publikonte foto dhe video intime.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi Kristi Joga, i cili ka përfituar nga shtetasi grek 4 mijë euro duke e kërcënuar.
Gjithashtu, Kristi Joga dyshohet se me të njejtin mekanizëm, ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë grekë, shuma të konsiderueshme parash, që variojnë nga 30 000 – 40 000 euro.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Blackmail”. Operacioni, rezultat i 4 muajve hetime me metoda proaktive.
I mori 4000 euro një shtetasi grek, duke e shantazhuar për rreth 3 vjet, se do t’i publikonte biseda dhe foto intime, vihet në pranga 47-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Korçë, si rezultat i hetimeve të kryera për një periudhë 4-mujore, me metoda speciale, në drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Blackmail”.
Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi Kristi Joga, 47 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mashtrimi”.
Nga hetimet dyshohet se shtetasi Kristi Joga, për një periudhë rreth 3-vjeçare, nëpërmjet shantazhit për publikimin e bisedave dhe fotove intime, ka përfituar rreth 4000 euro, nga një shtetas grek. Gjithashtu, shtetasi Kristi Joga dyshohet se me të njejtin mekanizëm, ka përfituar edhe nga shtetas të tjerë grekë, shuma të konsiderueshme parash, që variojnë nga 30 000 – 40 000 euro.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë të përshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


