Një konflikt verbal mes dy banorëve në Sukth të Durrësit ka degjeneruar në tentativë për vrasje me makinë. Policia arrestoi 32-vjeçarin Benard Shkajoti, i cili pasi u përfshi në një sherr me komshiun e tij, e përplasi atë me automjet.
Ngjarja ndodhi në fshatin Perlat, ku Benard Shkajoti, pas fyerjeve dhe ofendimeve, drejtoi makinën drejt 40-vjeçarit L. D., duke e goditur dhe lënë të dëmtuar. I plagosuri u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po merr ndihmë mjekësore.
Policia njofton se nga testi i alkoolit, rezultoi se Shkajoti drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me një nivel prej 0.92 mg/l. Automjeti me të cilin ndodhi përplasja u sekuestrua si provë materiale.
32-vjeçari akuzohet për veprat penale:
• “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë
• “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ndërsa hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes po vijojnë.