Tre ambiente të kthyera në “shtëpi bari” janë zbuluar në Malësinë e Madhe, ndërsa 2 persona u arrestuan dhe një i tretë u shpall në kërkim.
Operacioni është koduar “Neonët”, ndërsa aktiviteti kriminal kryhej me metoda dhe pajisje bashkëkohore, nëpërmjet llambave nga mori edhe kodin ky aksion.
Të arrestuarit janë Lazër Pepaj, Sandër Pepaj dhe u shpall në kërkim Kristjan Pepaj, kushërinj mes tyre.
Gjithashtu u ndaluan Gëzim Hoxha, Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj dhe Adil Selmanaj, 4 punonjës të OSHEE-së dhe u proceduan 2 punonjës të tjerë, për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, pasi nuk zbuluan vjedhjen e energjisë elektrike me të cilën kultivohej hashshi.
Si prova materiale u sekuestruan 1110 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 1 kg e 800 gramë e kësaj lënde në formë boçe, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 ventilatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
“Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Shkodër dhe me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje”, tha policia vendore.
Më poshtë policia jep edhe detajet për të arrestuarit dhe të akuzuarit:
“Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 48 vjeç, L. P., 69 vjeç (kushërinj), si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj. Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. H., 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; L. V., 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xh. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe A. S., 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim”.
Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, u gjetën dhe provat materiale, mes tyre 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Juridiksion të Përgjithshëm, Shkodër, për veprat penale “kultivimi i bimëve narkotike”, “prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.


