Italia mori sot në pranga dy kushërinj shqiptarë nga Dibra, që kërkoheshin prej 27 vitesh për një vrasje të ndodhur në Caserta të Napolit pas konflikteve të dyshuara mes grupeve rivale.
Të ekstraduarit janë Niko (Fasli) Sina dhe Afrim Sina, 49 dhe 52 vjeç.
Media italiane publikoi sot (20 mars) lajmin dhe dha detajet e ngjarjes së vjetër, teksa Interpol Tirana i ekstradoi në Fiumicino të Romës nëpërmjet një fluturimi të radhës nga Rinasi.
Dy kushërinjtë e ekstraduar janë banues në fshatin Rreth-Kale në Dibër. Niko Sina njihet edhe me emrin Fasli, 49 vjeç. Ndërsa Afrim Sina njihet edhe me emrin Andon, 52 vjeç.
Ata u arrestuan vitin e kaluar teksa fshiheshin në Dibër me identitet të rremë, ndërsa janë dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të Napolit në Itali në vitin 2006, me nga 14 vjet e 11 muaj burgim secili, për veprat penale “vrasja me dashje e kryer në bashkëpunim”, dhe “vrasja e mbetur në tentativë”.
Ata akuzohen se në Komunen Griciniano d’Aversa, 22 shtator 1999, kanë vrarë me sende të forta dhe mjetë prerëse shtetasin shqiptar B.C dhe kanë plagosur rëndë shtetasin shqiptar F.S, për arsye të lidhura me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
Raportimi i medias italiane
Media italiane informoi sot se pas më shumë se 27 vitesh në arrati, një kapitull i gjatë krimi ka marrë fund, i lidhur me një vrasje të ndodhur në zonën e Casertës, konkretisht në Cesa të Italisë.
U publikuan edhe foto nga momentet e ekstradimit të shqiptarëve.
Të dy zbarkuan këtë mëngjes (20 mars) në Aeroportin Fiumicino të Romës, të shoqëruar nga agjentë të Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe më pas u dërguan në burg me mbështetjen e Policisë Kufitare.
“Arrestimi është rezultat i një përpjekjeje komplekse hetimore që zgjati afërsisht një vit, të kryer nga Skuadra Fluturuese e Casertës, Shërbimi Qendror i Operacioneve të Policisë së Shtetit dhe agjencitë e bashkëpunimit ndërkombëtar, nën koordinimin e Zyrës së Prokurorit Publik të Napolit – Zyra e Zbatimit të Krimeve. Të dy shqiptarët ishin zhdukur që nga viti 1999, kur u akuzuan për një pritë të dhunshme në Cesa të Napolit. Në atë rast, dy bashkatdhetarë u sulmuan në qendër të qytetit me shkopinj dhe thika: njëri u vra, ndërsa tjetri u plagos rëndë. Sulmi dyshohet se u shkaktua nga mosmarrëveshjet mbi ndarjen e të ardhurave nga aktivitetet e paligjshme. Menjëherë pas krimit, të dy ikën me shpejtësi, duke arritur të zhduken dhe duke gjetur strehim në Shqipëri, ku jetuan për vite me radhë duke përdorur identitete të rreme”, informonte media italiane.
Operacioni është pjesë e projektit “Kërkohet 2025” (Wanted) të Policisë së Shtetit, që synon kapjen e të arratisurve afatgjatë.


