SPAK ka dërguar për gjykim dosjen ndaj gjashtë të pandehurve të arrestuar në kuadër të operacionit “Ura”,për trafik droge.
Mes të akuzuarve eshte edhe avokati Armand Tragaj.
Personat akuzohen për përfshirje në veprimtari të paligjshme që përfshin ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë, korrupsion aktiv dhe shpërdorim detyre.
Hetimet kanë zbuluar episode të përfshirjes së personave të ndryshëm në korrupsion dhe ndërhyrje të paligjshme në sistemin e drejtësisë dhe kontrollit kufitar.
Të pandehurit e çuar për gjykim janë:
Armand Tragaj, avokat – akuzohet për katër raste të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe një rast të korrupsionit aktiv ndaj dëshmitarit, ekspertit ose përkthyesit.
Edison Cukaj (Gjoka) – akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, në bashkëpunim me persona të tjerë.
Serxhio Shkodra, Ervis Deti dhe Bexhed Mema – akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj punonjësve të policisë kufitare.
Naim Behluli, inspektor policie në pikën kufitare të Portit të Durrësit – akuzohet për shpërdorim detyre, duke lehtësuar kalimin e paligjshëm të kufirit në këmbim të favoreve.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar më datë 21.10.2025 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.36/3 të vitit 2025, në ngarkim të gjashtë të pandehurve të akuzuar për veprat penale; “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” dhe “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga nenet 245/1, 312, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Të pandehurit:
Armand Tragaj, me profesion avokat, i akuzuar kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.
Edison Cukaj (Gjoka), i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Serxhio Shkodra, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Ervis Deti, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Bexhed Mema, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 4 e 25 i Kodit Penal.
Naim Behluli, me detyrë punonjësi i policisë kufitare të pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Faktet penale:
Gjatë hetimeve për procedimin penal 36 të vitit 2019 kanë rezultuar faktet penale të mëposhtme në ngarkim të shtetasve të përmendur. Në vijim, prokurorët e çështjes e kanë ndarë këtë procedim duke regjistruan procedimin nr 36/3 të vitit 2025. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me autoritetet italiane për trafikun e lëndëve narkotike janë evidentuar edhe episodet e mëposhtme të përfshirjes së shtetasve shqiptarë në veprimtari të paligjshme.
- Konkretisht i pandehuri Armand Tragaj, me profesion avokat, duke përdorur aplikacionin SkyECC ka komunikuar dhe ndërmarrë veprime për personat në mbrojtjen e tij ,duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Ai, ka konsumuar elementet e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funkisone publike”, (kryer në 4 episode), parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 i Kodit Penal, si dhe në një episod ka konsumuar veprën penale të “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit” parashikuar nga neni 312 i Kodit Penal.
- Në një episod tjetër, nga përgjimet, vëzhgimet në ambiente publike si dhe aktet e tjera, rezulton e provuar se i pandehuri, Edison Cukaj (Gjoka), ndonëse ishte në dijeni të faktit që nuk ishte në kushte të rregullta ligjore për kalimin e kufirit, për të lëvizur në zonën ‘’Shengen’’, ka kontaktuar dhe është ndihmuar nga të pandehurit; Ervis Deti, Serxhio Shkodra, dhe Bexhed Mema, të cilët i kanë kërkuar dhe marrë shumën prej 3 (tre) mijë euro të pandehurit me qëllim ushtrimin e ndikimit të tyre tek punonjësi i policisë kufitare i pikës së kalimit kufitar të Portit Durrës, inspektor, Naim Behluli. Përmes ndikimit të ushtruar ndaj funksionarit publik dhe me vetëdije të plotë është realizuar kalimi i kufirit pa pengesa nga i pandehuri Edison Cukaj (Gjoka).
Hetimet vijojnë për persona të tjerë, të përfshirë në veprimtari kriminale.