Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me plagosjen e një të riu në Tropojë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku në spitalin e qytetit është paraqitur 23-vjeçari Artur Buçpapaj, banues në Dojan, me plagë të shkaktuara nga goditja me mjet prerës.
Fatmirësisht, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin mjekësor të nevojshëm.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se autori i ngjarjes është 18-vjeçari Orgen Lataj, banues në Bajram Curri, i cili pas incidentit është larguar dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë
Plagosi me mjet prerës, 23-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, identifikohet autori i dyshuar dhe vijon puna për kapjen e tij.
Në orët e para të mëngjesit, në spitalin e Tropojës, është paraqitur shtetasi A. B., 23 vjeç, banues në Dojan, me dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me mjet prerës. Aktualisht ai po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi A. B. është plagosur me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta, nga shtetasi O. L., 18 vjeç, banues në Bajram Curri.
Shtetasi O. L. është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.