Policia e Sarandës ka arrestuar dy vëllezërit Romeo dhe Fabion Laze, të dy me precedentë të mëparshëm penalë, pasi akuzohen se pas një konflikti për parkim, goditën rëndë me sende të forta një grua dhe djalin e saj, N. A. dhe E. A., në lagjen nr. 4 të qytetit.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 17:45, dhe u përfshinë të paktën gjashtë persona. Sipas hetimeve, vëllezërit Laze, pronarë të një lavazhi, u përplasën me viktimat dhe më pas i sulmuan me grushte, shkopinj dhe mjete të forta, duke u shkaktuar plagë serioze.
Të dëmtuarit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, por me dëmtime të shumta në kokë dhe trup.
Policia arrestoi në flagrancë dy autorët për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje në bashkëpunim”, ndërsa u shoqëruan edhe dy persona të tjerë për verifikime.
Kush janë vëllezërit Laze?
– Romeo Laze, 45 vjeç:
• Arrestuar në dhjetor 2015 për “dhunë në familje” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.
• Ndalur në gusht 2021 për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.
• Në shkurt 2025, Prokuroria i sekuestroi dy pasuri, dy automjete dhe një biznes.
– Fabion Laze, 39 vjeç:
• Arrestuar në tetor 2014 për trafik droge.
• Me precedentë penalë për narkotikë edhe jashtë Shqipërisë.
Të dy janë përfshirë më parë në incidente të dhunshme, përfshirë një plagosje në maj 2011 ndaj dy vëllezërve Avdiu.