Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtorë 3 nga anëtarët e një grupi kriminal të organizuar të akuzuar për trafik droge, duke i dënuar me një total prej rreth 17 vitesh burgim.
Të pandehurit janë Bujar Brahaj, Ertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj. SPAK i ka nisur hetimet prej vitit 2019, kurse grupet u goditën më 2022 të ndarë në 5 celula me të paktën 44 persona të dyshuar, arrestuar dhe gjykuar.
Vendimi u dha sot (13 shkurt) nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Luljeta Kolonja, Engjëllushe Tahiri dhe Luljeta Kole.
Bujar Brahaj u dënua me 10 vite burg, ndërsa Ertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj me nga 8 vite secili. Por të tre përfituan ulje të dënimit me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Operacioni i vitit 2022 nga SPAK, 5 grupet kriminale të drogës, qytetet dhe emrat
Një hetim i nisur më 2019 nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit u finalizua më 2022 me urdhër arreste për 44 persona, të përfshirë në trafik, prodhim dhe kultivim të drogës, si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale.
Gjatë hetimeve, SPAK ka mundur të evidentoj 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Prrenjas, qytete ku edhe u shtri operacioni i zhvilluar përgjatë të enjtes. Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga muaji mars 2019 deri në nëntor të vitit 2020.
Përgjatë 36 muajve hetime, SPAK arriti të provoj veprimtarin kriminale të pesë grupeve të ndryshme, për të cilët Gjykata e Posaçme firmosi 42 masa “arrest në burg”, mes tyre edhe dy efektivë policie.
Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme rezultoi se Fejzi Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës, dhe Adriatik Logli, efektiv i Policisë së Gjirokastrës, kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa kanë lehtësuar punën e trafikantëve për trafikimin e lëndëve narkotike.
Në veçanti, në qytetin e Vlorës, u prenë 8 urdhër-arreste, të ekzekutuara janë gjashtë prej tyre. Një prej personave të kërkuar nuk u gjet në banesë, ndërsa një tjetër rezultoi të ishte arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Në pranga ranë: Denardo Dervishi, Fejzo Meçaj (punonjes policise SPZ, Tepelene), Ervin Llana, Armand Koçiu, Servan Kerbizi, Xhuliano Aliu, Kristi Dauti, Sefer Dukaj, Fiodor Runaj, Hyrjet Runaj, Hader Runaj, Ardian Kastrati, Xhavit Filja, Adriatik Logli (punonjes policie prane DVP Gjirokaster), Valmir Polisi, Fadil Demaj, Landi Lezi, Erjon Kalemi dhe Bujar Brahaj.
Gjithashtu, në atë kohë janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për personat e mëposhtëm, të cilët aktualisht janë duke vuajtur dënimin, për vepra të tjera penale: Elton Ukaj, Marjano Beta, Mikel Ziflaj, Sokol Beqiraj, Marjus Tarataraj, Aleks Meçorapaj, Abedin Llajaj, Ardit Petraj, Neritan Lamaj, Hetem Velaj, Lleonidha Koçiaj, Klodian Delaj, Kastriot Lalaj dhe Ertjan Pjetergjokaj.
Vendimi i GJKKO-së:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Bujar Brahaj, Ertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj”.
- Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Luljeta Kolonja, Engjëllushe Tahiri dhe Luljeta Kole, me vendimin nr. 15, datë 13.02.2026 vendosi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Bujar Brahaj, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar nga nenet 283/1 dhe 28/4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim”.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Bujar Brahaj, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Në bashkim të dënimeve, në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Bujar Brahaj me një dënim të vetëm me 10 (dhjetë) vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit Bujar Brahaj me 6 (gjashtë vjet) e 8 (tetë)muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit me burgim i fillon të pandehurit Bujar Brahaj nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe në dënimin me burgim do të llogaritet koha e qëndrimit të të pandehurit me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” për efekt të këtij procedimi penal. Dënimi me burgim do të kryhet nga i pandehuri Bujar Brahaj në një burg të sigurisë së lartë.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Ertjan Pjetërgjokaj, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 333/a/1 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3 (tre ) vjet burgim.
- Dënimit prej 3 (tre) vjet burgim për të pandehurin Ertjan Pjetërgjokaj në bazë të nenit 334/1 të Kodit Penal i shtohet edhe dënimi prej 5 (pesë) vjet burgim, duke u dënuar i pandehuri me 8 (tetë) vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit Ertjan Pjetërgjokaj me 5 (pesë) vjet e 4 (katër) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit me burgim i fillon të pandehurit Ertjan Pjetërgjokaj nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” për efekt të këtij procedimi penal. Dënimi me burgim do të kryhet nga i pandehuri Ertjan Pjetërgjokaj në një burg të sigurisë së lartë.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Elton Ukaj, për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal” e parashikuar nga neni 333/a/2 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
- Dënimit prej 2 (dy) vjet burgim për të pandehurin Elton Ukaj në bazë të nenit 334/1 të Kodit Penal i shtohet edhe dënimi prej 5(pesë) vjet burgim, duke u dënuar i pandehuri me 7 (shtatë) vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, dënimin përfundimisht të të pandehurit Elton Ukaj me 4 (katër) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
- Vuajtja e dënimit me burgim i fillon të pandehurit Elton Ukaj nga data e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg” për efekt të këtij procedimi penal. Dënimi me burgim do të kryhet nga i pandehuri Elton Ukaj në një burg të sigurisë së lartë.
- Shpenzimet iu lihen në ngarkim të pandehurëve solidarisht.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 15 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të pandehurve Bujar Brahaj, Ertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj.


