Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën nacionale Çermë–Divjakë.
Automjeti tip Volkswagen Passat, ku udhëtonin katër persona, po dilte nga rruga e Çermë Sektorit në drejtim të autostradës, por drejtuesi nuk arriti të frenojë dhe makina përfundoi në kanal.
Përplasja rezultoi fatale për njërën prej pasagjereve, ndërsa tre personat e tjerë u plagosën rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor në spital.
Si pasojë e plagëve të marra humbi jetën 47-vjeçarja Majlinda Sula. Të plagosur mbetën drejtuesi i mjetit, 63-vjeçari Ferit Mekshi, Afërdita Mekshi 37 vjeçe dhe djali i saj 15-vjeçar.
Sipas banorëve të zonës, dalja nga rruga e Çermë-Sektorit në aksin nacional ka qenë problematike edhe më herët, duke shkaktuar aksidente me pasoja në njerëz.