Konflikti i ndodhur në Palasë orët e para të mëngjesit të datës 25 gusht ka një bilanc të ri përsa i përket të lënduarve, pasi është shtuar e një tjetër i plagosur nga ngjarja.
Uniformat blu raportojnë se nga këqyrja e kamerave të sigurisë është bërë i mundur identifikimi i dy personave të tjerë në konflikt, të cilët janë shpallur në kërkim.
Të shpallurit në kërkim janë identifikuar si Fatmir Bejo, 30 vjeç, banues në Durrës dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, blutë kanë shpallur në kërkim shtetasit Xhoni Spaho, 28 vjeç, banues në Tiranë dhe Genti Baleci, 49 vjeç, banues në Durrës.
NJOFTIM
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë/Informacion shtesë
Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.
Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:
F. B., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. C., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xh. S., 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe G. B., 49 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xh. S., G. B., F. B., dhe K. C.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.