Gjashtë anëtarë të një grupi të krimit të organizuar me origjinë shqiptare, janë dënuar me burg për shpërndarje të kokainës në qytetin britanik Swindon. Sipas Policisë së Wiltshire, dënimi më i lartë ishte tetë vite burg.
Pas një hetimi të realizuar nga Njësia për Krime të Rënda dhe të Organizuar (SOCU), Gjykata e Kurorës në Swindon dënoi të pandehurit me dënime që variojnë nga 16 muaj me kusht deri në tetë vjet burg.
Operacioni, i cili zgjati gjashtë muaj dhe u kodua me emrin “Operation Young”, çoi në zbulimin e vendeve të fshehta ku grupi ruante kokainën, fshehjeve në automjete dhe anëtarëve kryesorë të përfshirë në aktivitetin e përditshëm të trafikut.
Grupi udhëhiqej nga Saimir Neziraj, i cili administronte një linjë të shpërndarjes së kokainës me emrin “Denzel”, përmes të cilës përdoruesit furnizoheshin me drogë në të gjithë qytetin.
Ai merrej me mbledhjen e parave dhe furnizimin e rrjetit, ndërsa Edmir Beqirikujdesej për ruajtjen e drogës në Swindon. Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousaiishin të angazhuar në shpërndarjen e përditshme të drogës.
Si u zbulua grupi?
Më 1 shkurt 2024, oficerët ndoqën Neziraj teksa udhëtonte drejt Londrës, ku në një rrugicë të qetë në Barnet, u takua me Ergys Abdyli, bazuar në kryeqytet. Neziraj mori kokainën nga Abdyli dhe më pas e transportoi përsëri në Swindon, ku ia dorëzoi Beqirit për ruajtje.
Gjatë hetimit, u zbulua se telefoni “Denzel” mbahej nga Nertil Halili në Derbyshire, i cili me ndihmën e Nezirajt organizonte shitjen e kokainës në rrugët e Swindon. Në mars 2024, në atë që policia e quajti një “gabim të madh” të grupit, Halili dhe Neziraj u takuan në zonën e West Bromwich në Midlands, ku u bë dorëzimi i telefonit.
Policia e Wiltshire, së bashku me forcat në Derbyshire dhe Londër, ndërmorën një seri bastisjesh të koordinuara në mëngjesin e hershëm të marsit, ku u sekuestruan sasi të mëdha parash dhe droge, dhe të pandehurit u arrestuan.
Ata pranuan fajësinë për akuzat për veprimtari me drogë të klasës A dhe u dënuan në total me rreth 28 vite burg:
Saimir Neziraj, 32 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine: 8 vite burg
Nertil Halili, 29 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine dhe rikthim të paligjshëm në MB pas dëbimi: 7 vite e 10 muaj burg
Edmir Beqiri, 37 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine: 3 vite e 8 muaj burg
Ergys Abdyli, 26 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine, posedim prone kriminale, pengim të drejtësisë, posedim dokumentesh false: 5 vite e 11 muaj burg
Ardian Gjeta, 26 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine dhe posedim prone kriminale: 2 vite e 1 muaj burg
Jorgo Brachousai, 24 vjeç, për përfshirje në shpërndarje kokaine: 16 muaj burg, me pezullim për 2 vite