Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë dy shqiptarët mes 7 viktimave nga aksidenti tragjik që ndodhi ditën e sotme, 27 janar, në Rumani, ku një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut, përplas me një kamion.
Sipas mediave greke, nga aksidenti tragjik mbetën të plagosur rëndë ehe tre të tjerë, të cilët janë dërguar në spital për ndihmë mjekësorë.
Të gjithë udhëtarët ishin me nënshtetësi greke, të moshës 25 deri në 30 vjeç. Pesë prej viktimave ishin nga Aleksandria e Imathias, dy nga Katerini, ndërsa tre nga Selaniku.
Tifozët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen kundër Lyonit në Ligën e Evropës.
Sipas autoriteteve rumune, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas u hodh në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një kamion tjetër. Në aksident u përfshinë gjithsej katër mjete.
Gjashtë nga viktimat humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit.


