Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në autostradën “Ibrahim Rugova”, në drejtimin Prizren-Suharekë, ku për pasojë humbi jetën një grua që po drejtonte mjetin me tagra shqiptare dhe pasagjerja që ndodhej me të, pas përplasjes me një kamion që transportonte mallra.
Mediat në Kosovë raportojnë se si pasojë e përplasjes së fuqishme, drejtuesja makinës, Elizabet Katija, 43 vjeçare, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Fillimisht e lënduar rëndë, pasagjerja Eorda Sinollari, 32 vjeçare, ka ndërruar jetë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren nga plagët e rënda.
Në aksident është lënduar edhe drejtuesi i kamionit, Munish Grajçefci, i cili po ashtu është dërguar për ndihmë mjekësore, por ende nuk dihet gjendja e tyre.
Mjetet e përfshira në aksident janë “Mercedes GLE”, me targa shqiptare, e drejtuar nga Elizabet Katija (viktimë), dhe një kamion “Mercedes Atego”, i drejtuar nga Munish Grajçefci (i lënduar).
“Sot, rreth orës 07:40, në autostradën “Ibrahim Rugova” në kilometrin e 26-të ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira një mjet i rëndë transportues-kamion, me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja. Si pasojë e aksidentit drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.


