Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar masën disiplinore “shkarkim nga detyra” për gjyqtaren e Shkodrës Arta Llazari.
Për gjyqtaren e Shkodrës janë depozituar pranë ILD-së 11 ankesa për mospërmbushjen e rregullt të detyrës.
Gjatë ditës së sotme, gjyqtarja e Arta Llazari po përballet në Këshillin e Lartë të Gjyqësor me hetimet e realizuara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Për gjyqtaren Arta Llazari, emisioni Vetting në News24 ka publikuar dëshmitë e qytetarëve, të cilët janë zvarritur dyerve të gjykatave për të marrë drejtësi për pronat e tyre që i disponojnë me dokumente të ligjshme, ndërkohë që janë mbajtur të bllokuara për interesa të dyshimta të personave me influencë.
Në hetimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për gjyqtaren Arta Llazari është konstatuar se kjo e fundit : “Veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.
Gjyqtarja ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, edhe pse ka 24 vite eksperiencë, tregues i njohjes shumë të mirë të ushtrimit të detyrës me disiplinë. Vonesat në mosvënien në lëvizje të gjykimit dhe të arsyetimit të vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, të cilat janë të lidhura direkt me magjistratin”.
Me tej theksohet se: “ILD i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten A. Ll., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”.
Hetimi i ILD per Arta Llazarin
Mbi kërkesën për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra”, për magjistraten Arta Llazari
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates Arta Llazari, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, bazuar në 11 ankesa për mospërmbushje të rregullt të detyrës, e shkelje të afateve procedurale civile e penale. Dhe gjithashtu gjatë hetimit janë evidentuar edhe fakte të tjera, të cilat I janë shtuar hetimit të nisur.
Hetimi i inspektorëve të ILD-së ka konkluduar se:
- Nga ana e magjistrates subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, si dhe mosvënie në lëvizje të çështjeve civile, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike, e në mënyrë të vazhdueshme, çka është thuajse e barabartë me mungesën e drejtësisë.
Ndër konstatimet raportit:
– Në shumë raste nga regjistrimi i çështjeve dhe caktimi i tyre gjyqtares, janë evidentuar mos kryerje veprimesh për një periudhë prej rreth mbi 3 vite.
– Rreth 64% e çështjeve civile të themelit për vitin 2021 dhe 90% për vitet 2022 dhe 2023 janë në tejkalim të afatit ligjor të arsyetimit/dorëzimit (vendime të llojit kryesisht vërtetim fakti juridik për njohje vërtetësie e zgjidhje martese, njohje pronësie apo pjestim pasurie.)
– Vonesa të ngjashme janë evidentuar në urdhëra ekzekutimi (78% e çështjeve në 2023); lëshim i urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes/vërtetim urdhëri (deri në 60% e vendimeve tej afatit ligjor të arsyetimit/dorëzimit për vitin 2023); për kërkesa penale kryesisht ankim ndaj vendimit të mosfillimit të prokurorit (85% e vendimeve në vitin 2023, të padorëzuara); për kërkesa penale “masa sigurimi” ku përfshihen edhe vendime lejim/vleftësim përgjimi/kontrolli, tej afatit ligjor të arseytimit/dorëzimit janë 6% e vendimeve për vitin 2021, 16% për vitin 2022 dhe 66% për vitin 2023. Vendimet e padorëzuara në vitin 2023 janë 43% e vendimeve tej afatit ligjor.
- Veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.
- Gjyqtarja ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, edhe pse ka 24 vite eksperiencë, tregues i njohjes shumë të mirë të ushtrimit të detyrës me disiplinë.
- Vonesat në mosvënien në lëvizje të gjykimit dhe të arsyetimit të vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, të cilat janë të lidhura direkt me magjistratin.
Nga hetimi bazuar në materialet voluminoze të administruara e shqyrtuara, arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtarja përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore“, parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” dhe “dh” të ligjit “Për statusin”.
ILD i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten Arta Llazari, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.