Elton Kila, i njohur ndryshe si Ot Kila, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë” në një çështje që lidhet me grupet kriminale të zonës së Elbasanit.
Në dëshminë e tij para trupit gjykues, Kila tregoi për ngjarjet e viteve 2017 dhe 2018, kur biznesi i tij u dogj në dy raste të ndryshme, të cilat deri më sot kanë mbetur pa autorë.
“Kam biznes që prej 25 vitesh, për shitblerje automjetesh, import-eksport mjetesh dhe sallon për automjete. Në 2017 dhe në 2018 më kanë shkatërruar biznesin tim. Në ngjarjen e parë u dogjën tre automjete, ndërsa në 2018, kur unë isha në paraburgim për një dokument të ardhur nga Italia, më dogjën sërish servisin. Edhe sot nuk di kush e ka bërë. Zjarrin e dytë e mësova nga televizori. Kur dola pas 45 ditësh, kërkova informacion, por nuk mësova asgjë. Më thanë vetëm që në magazinë ka qenë roja dhe i biri, ndërsa më pas dëgjova emra si Elio Bitri, por s’kam prova.”
Kila tha se e njihte Elio Bitrin si person që frekuentonte të njëjtin lokal, por se pas ngjarjeve ishte distancuar prej tij: “E njihja, por s’kam pasur konflikte. Kur mora vesh çfarë thuhej, u tërhoqa dhe e lashë në dorë të Zotit.”
Sa i përket ngjarjeve kriminale në Elbasan, Kila u shpreh se nuk ka pasur asnjë lidhje me to.
“Ditën kur është plagosur Nuredin Dumani unë kam qenë jashtë shtetit me familjen, në Gjermani. Më pas dëgjova se ai paskësh qenë nisur për të më vrarë mua, por nuk e besova. Nuk kam pasur kurrë probleme me të,” tha ai.
Kila deklaroi gjithashtu se ka pasur marrëdhënie pune me Florenc Çapjan, ndërsa për Suel Çelën tha se e njeh “që fëmijë”.
“Kam pasur marrëdhënie korrekte me familjen e tij. Pas lajmeve shkova e takova të atin dhe të vëllain për të pyetur, por Suelin nuk e takova.”
“Kam qenë në të njëjtin burg me të, por s’kemi pasur komunikim.”
Sipas dëshmisë së tij, edhe në rastin e vrasjes së Lulzim Bitrit, Kila ndodhej në një lokal pranë vendngjarjes. “Lulzimin nuk e kam njohur kurrë. E dija që ishte vëllai i Elios, kaq”, deklaroi Kila.


