Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Sofje, ku u prit nga Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Zëvendëspresidentja Iliana Iotova.
Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet dypalëshe, integrimi europian i Shqipërisë dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s.
“Shqipëria i është mirënjohëse Bullgarisë për mbështetjen e integrimeve euro-atlantike, anëtarësimit e partneritetit në NATO dhe rrugëtimin drejt familjes europiane, si një proces i mbështetur në meritën, anëtarësimin në BE brenda kësaj dekade, për të cilën gjatë kësaj vizite konstatova mbështetjen e Qeverisë dhe Parlamentit të Bullgarisë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve lehtësohen, përveçse nga lidhjet historike e tradicionale, edhe nga bullgarët me origjinë shqiptare që jetojnë në Madrica, në provincën e Ivaylovgrad, dhe pakica bullgare në Shqipëri, komunitete që janë asete të çmuar dhe ura miqësie.
Vlerësojmë politikat mbështetëse e zhvillimore për Diasporën Shqiptare në Bullgari, për të promovuar jetesën në zonat ku jeton, duke ruajtur gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë shqiptare.
Qeveria shqiptare është e angazhuar për respektimin e të drejtave të pakicës bullgare në Shqipëri, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare përkatëse. Si aleatë dhe partnerë në NATO, Shqipëria dhe Bullgaria ndajnë të njëjtin vizion mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe po forcojmë kapacitetet mbrojtëse për përballimin e tyre, bazuar në interesat kombëtare dhe parimet e integrimit euroatlantik. Shqipëria është një kontribuese aktive dhe faktor i rëndësishëm për paqen në rajon dhe udhëhiqet nga parimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.
Marrëveshja Trepalëshe mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, e nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë, tregon angazhimin për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, bashkëpunimin e shtuar kundër kërcënimeve hibride si edhe aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Kjo nismë është në përputhje me Konceptin Strategjik të NATO-s dhe Busullën Strategjike të BE-së dhe mirëpret çdo vend të rajonit për t’iu bashkuar.”, u shpreh znj. Spiropali.
Presidenti Radev e vlerësoi Shqipërinë si një partnere të respektuar e luajale dhe nënvizoi se është vendi që po përparon shumë më shpejt se vendet e tjera kandidate drejt BE-së dhe Kuvendi ka një kontribut të rëndësishëm në këtë proces. Plani i Shqipërisë për t’u anëtarësuar sa më shpejt në BE ka mbështetjen e vendosur të Bullgarisë.
Presidenti Radev vlerësoi standartet europiane të Shqipërisë ndaj pakicave dhe respektimit të të drejtave të njeriut si edhe rolin e bullgarëve me origjinë shqiptare dhe minoritetit bullgar në Shqipëri si pasuri për vendet tona.
Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali u prit edhe nga Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova. Znj. Spiropali është e para kryeparlamentare e ftuar në Parlamentin e Bullgarisë, pas zgjedhjes së Kryetares Kiselova.
“Intensifikimi i bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit dhe Asamblesë Kombëtare do të nxisë marrëdhëniet dypalëshe si edhe dialogun politik mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, të cilat janë aktualisht të shkëlqyera, të qëndrueshme dhe pa asnjë çështje të pazgjidhur mes dy vendeve.
Shqipëria është në pararojë të vendeve kandidate drejt BE-së dhe konstatojmë me kënaqësi që ky plan, i cili ka fituar mbështetjen e Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe parlamenteve të mjaft vendeve anëtare, ka edhe mbështetjen e vendosur të Asamblesë Kombëtare dhe të Bullgarisë.
Përshpejtimi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perendimor, si një proces i mbështetur në meritën dhe një prioritet i zgjerimit, është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Europian.
Parlamentet mbështesin forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendeve tona si anëtare të NATO-s, bazuar në interesat kombëtare, parimet e integrimit euroatlantik dhe nevojën për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e paqes në rajon, Europë dhe në botë ”, u shpreh Spiropali.
Kryetarja Kiselova vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, përgëzoi znj. Spiropali për miratimin nga Parlamenti Europian në 9 korrik të Rezolutës për Shqipërinë, e cila u votua nga të gjithë eurodeputetët bullgarë, dhe e vlerësoi vendin tonë si një kampion në procesin e anëtarësimit. Objektivi i Shqipërisë për anëtarësim brenda vitit 2030 ka mbështetjen e vendosur të Bullgarisë dhe plani i juaj është edhe i yni.
Pas takimit, Kryetarja Spiropali dhe Kryetarja Kiselova zhvilluan një konferencë për shtyp.
Gjatë qëndrimit në Sofje, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, e shoqëruar nga
Kryetarja e Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, zhvilloi një bashkëbisedim me ambasadorë e diplomatë të akredituar në Sofje, parlamentarë, gazetarë, studentë dhe përfaqësues të biznesit mbi arritjet e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo veprimtari u organizua nga Klubi i Atlantikut i Bullgarisë dhe organizata PanEuropa.