Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Hazbi Velsulën, 31 vjeç, i akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij, Selim Velsula. Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 qershor në fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos.
Sipas raportimit të gazetarit Enver Doçi, i riu nuk ka dhënë asnjë shpjegim për motivin e krimit gjatë seancës gjyqësore të mbajtur këtë të enjte, duke kërkuar praninë e avokatit mbrojtës dhe duke refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit.
Dinamika e ngjarjes
Selim Velsula, viktima, jetonte prej vitesh në fshatin Xibër-Murrizë bashkë me bashkëshorten e tij dhe njihej si një njeri i qetë. Më 11 qershor, rreth orës 16:00, ai kishte dalë bashkë me gruan për të nxjerrë bagëtinë në pronat e familjes mbi fshat.
Pasi kishte shkuar për të marrë një shishe me ujë në shtëpi, Selimi ishte rikthyer te bagëtitë, ku në atë moment ishte thirrur nga kushëriri i tij, Hazbi Velsula, i cili kohët e fundit ishte kthyer nga Tirana në zonën e origjinës. Autori i kishte kërkuar të afroheshin me arsyetimin se “kishte një muhabet”, dhe më pas e kishte sulmuar me thikë, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup.
Pas sulmit, Hazbi Velsula është larguar nga vendngjarja duke u arratisur. Ndërkohë, Selim Velsula, edhe pse i plagosur rëndë, kishte tentuar të kthehej drejt banesës, por kishte ndërruar jetë në rrugë. Trupi i tij u gjet nga një banor i zonës, i cili po shkonte për të marrë ujë për vaditje.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pas krimit, autori ka telefonuar motrën e tij dhe i ka thënë: “E bëra vrasjen me mjet prerës.” Ishte pikërisht motra që njoftoi policinë, ndërsa forcat e rendit kanë rrethuar zonën dhe më pas kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, i cili fshihej në afërsi të vendngjarjes.
Dyshohet se Hazbi Velsula vuan nga probleme të shëndetit mendor, por kjo pritet të verifikohet përmes ekspertizës mjeko-ligjore.