Prokuroria e Fierit ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Asllan (Azgan) Mërnicën, i cili akuzohet për vrasjen e efektivit të Forcave Speciale “Shqiponja”, Novruz Cenalia, ngjarje e ndodhur më 13 maj 2024, në fshatin Baltëz të njësisë administrative Dërmenas.
Sipas organit të akuzës, hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689 të vitit 2024 kanë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Mërnica ka qëlluar me armë zjarri në fytyrë efektivin e policisë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në momentin e ngjarjes, viktima ndodhej në mjetin e tij të shërbimit dhe mbante të veshur uniformën e forcave speciale, e cila e bënte lehtësisht të dallueshme detyrën e tij.
Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi pas një incidenti rrugor, ku Mërnica, duke drejtuar automjetin me shpejtësi dhe pa kontroll në një kthesë, rrezikoi përdoruesit e tjerë të rrugës. Pas një vërejtjeje të bërë nga efektivi Cenalia, i pandehuri ka ndalur makinën, ka marrë një çantë me armë dhe është afruar te mjeti i policit, pa i dhënë kohë të zbresë. Mërnica e ka mbushur armën dhe ka qëlluar në drejtim të tij, duke e goditur për vdekje në kokë.
Për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria ka ngritur tre akuza ndaj autorit: “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Çështja është në fazën e gjykimit dhe vendimi pritet të jepet nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier.
Njoftimi i Prokurorisë:
Vrau efektivin e Forcave Speciale “Shqiponja”, Prokuroria Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkon dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit A.M. për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg. I dhe 291 të Kodit Penal, kryer ndaj viktimës N.C.
Nga hetimi dhe gjykimi mbi procedimin penal nr. 689, të vitit 2024, u provua tej çdo dyshimi të arsyeshëm se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës.
Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka mbushur atë dhe më tej situata ka përshkallëzuar ku i pandehuri A.M duke përdorur armën e zjarrit të llojit pistoletë ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Në përfundim të gjykimit të këtij procedimi penal, sot në datë 10.07.2025, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në diskutimet përfundimtare kërkoi:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, parashikuar nga neni 79/b i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga neni 278 prg. I i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit M. për kryerjen e veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin e të pandehurit M. me burgim të përjetshëm.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.