Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Paçram, në Vaun e Dejës, ku një 65-vjeçar është vrarë me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Frrok Lleshi, i cili është gjetur i pajetë në rrugë rreth orës 21:00, nga kalimtarë të rastësishëm. Sipas burimeve, Lleshi ka qenë më parë i dënuar për vrasje dhe pista kryesore e hetimit është gjakmarrja.
Policia ka konfirmuar se viktima dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri, ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat blu dhe një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit/ëve.
Hetimet janë në fazë paraprake dhe priten zhvillime në orët në vijim.
Njoftimi i policisë
Vau i Dejës / Informacion paraprak
Rreth orës 21:00, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.