Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Salernos në Itali, ku është gjetur trupi i pajetë i një 25-vjeçari shqiptar, i cili ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh. I riu, babai i një fëmije dhe në prag të martesës, u qëllua për vdekje gjatë një tentative për grabitje në Foria di Centola, mbrëmjen e së dielës.
Trupi i tij u gjet pranë fushës sportive në zonën San Severino di Centola, pas rrëfimit të pronarit të banesës, një 60-vjeçar italian, që u paraqit në Prokurori i shoqëruar nga avokati i tij. Në një gjendje të rënduar emocionale, ai rrëfeu vrasjen dhe vendin ku kishte fshehur trupin.
Sipas dëshmisë, pas një përplasjeje me grabitësit, 60-vjeçari qëlloi me armë mbi njërin prej tyre. Më pas, ai e transportoi trupin në një pronë të vëllait dhe e varrosi, duke tentuar ta fshehë ngjarjen.
Një tjetër shqiptar, pjesë e të njëjtit grup, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” të Napolit. Ndërkohë, një person i tretë është ende në arrati dhe kërkohet nga autoritetet italiane.
Sipas burimeve hetimore, autorët e grabitjes kishin arritur të merrnin edhe një armë zjarri nga banesa e 60-vjeçarit, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur gjatë shkëmbimit të zjarrit.