Autopsia e kryer këtë të mërkurë në morgun e Maceratës ka zbuluar detaje rrëqethëse mbi krimin e rëndë që tronditi qytetin e Tolentinos në Itali, ku 45-vjeçarja shqiptare Gentiana Kopili Hudhra humbi jetën pas një sulmi nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, 55 vjeç.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, viktima ka marrë plot 17 goditje me thikë, të cilat kanë shkaktuar hemorragji të brendshme dhe vdekje të menjëhershme. Mjeku ligjor Antonio Tombolini, që kreu autopsinë me porosi të prokurorit Enrico Riccioni, ka konfirmuar se plagët fatale kanë prekur organet e brendshme, ndërsa disa goditje janë evidentuar në qafë, shpinë dhe anash trupit.
Hetimet e prokurorisë së Maceratës, që po trajton çështjen si vrasje të qëllimshme dhe të paramenduar, tregojnë se Gentiana ka tentuar të mbrohej. Disa nga plagët ishin sipërfaqësore, gjë që sugjeron një përpjekje për t’i shpëtuar sulmit.
E kapur nga pas dhe therur me thikë kuzhine
Ngjarja ndodhi më 14 qershor, rreth orës 20:00, në një park pranë rrugës Benadduci në Tolentino. Gentiana ndodhej në park, me shpinë dhe duke folur në telefon, kur Hudhra i zuri pritë dhe e sulmoi me një thikë kuzhine me teh 18 cm, të cilën e kishte fshehur në një qese. Ai e goditi fillimisht, ajo u përpoq të largohej, por ai e ndoqi, e rrëzoi dhe e sulmoi brutalisht me goditje të njëpasnjëshme.
Mjekët kanë konstatuar edhe plagë në fytyrë, që dyshohet të jenë shkaktuar nga shkelma, pasi viktima ndodhej e shtrirë në tokë.
Pas krimit, autori nuk tentoi të largohej. Ai u ul në një stol pranë trupit të pajetë të ish-bashkëshortes dhe qëndroi aty deri në mbërritjen e karabinierëve, të cilët e arrestuan në vendngjarje.
Trupi i viktimës do të përcillet për në Shqipëri
Para kryerjes së autopsisë, u bë edhe njohja zyrtare e trupit nga avokati Guglielmo De Luca, përfaqësues i familjes së Gentiana Hudhrës. Në morg ndodhej edhe avokatja mbrojtëse e autorit, Lucia Testarmata, e cila nuk mori pjesë në ekzaminim.
Sipas autoriteteve lokale, nesër më 20 qershor do të hapet dhoma mortore në zonën sportive Sticchi të Tolentinos, ku publiku dhe të afërmit mund t’i japin lamtumirën e fundit viktimës nga ora 10:00 deri në 19:00. Ceremonia e varrimit nuk do të zhvillohet në Itali, pasi trupi i Gentianës do të transportohet drejt Shqipërisë, ku do të kryhet edhe ceremonia mortore familjare.