Ditën e djeshme (9 janar) u ekstradua nga Turqia drejt vendit tonë Dritan Rexhepi, i njohur si “mbreti i kokainës”. Media britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë kriminelit shqiptar, që e krahason edhe me El Chapon, bosin meksikan të drogës.
“Një ish-student i drejtësisë, i cili përmbyti Britaninë e Madhe me drogë të klasit A dhe vrau dy oficerë policie, është ekstraduar në Shqipëri.
Gangsteri famëkeq Dritan Rexhepi – i quajtur “Mbreti i Kokainës” – ishte në arrati prej 27 vitesh dhe kërkohej në katër shtete”, shkruan The Sun.
Më tej media britanike shkruan se 45-vjeçari Rexhepi qëndroi gjithmonë një hap përpara ligjit dhe arriti t’i shmangej kapjes dhe burgut për shumë nga krimet e kryera në të gjithë Evropën.
“Rexhepi u bë i famshëm për arratisjet e tij nga burgu – duke u mburrur më shumë se bosi meksikan i drogës Joaquin Guzman Loera, i njohur më mirë si El Chapo .
Ai gjithashtu dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e pamëshirshme hakmarrëse të vëllait të një njeriu të dyshuar për vjedhjen e një ngarkese prej 20 milionë paund kokainë në Angli që i përkiste Rexhepit.
Mbreti i drogës Rexhepi u shfaq në listën e më të kërkuarve të lëshuar nga Scotland Yard në vitin 2013”, shkruan The Sun.
ILIR PRODA PER THE SUN
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare Ilir Proda tha për The Sun: “Ekstradimi i Dritan Rexhepit është një arritje e madhe dhe tregon besimin e policisë shqiptare tek partnerët tanë në mbarë botën.
Në të njëjtën kohë, është një shërbim i madh për drejtësinë shqiptare që dërgon një mesazh të qartë – asnjë i kërkuar shqiptar nuk mund të mendojë se është i sigurt aty ku fshihet jashtë vendit.
Duam të falënderojmë kolegët tanë turq që bënë të mundur ekstradimin e tij në vendin tonë.
Ky i arratisur i drejtësisë kërkohej edhe nga Italia. Ishte një konkurrencë e fortë me Italinë që do ta ekstradonte.”