Ado Xhika, Maksim Koçi dhe Ervis Daka janë tre shtetasit shqiptarë që pritet të ekstradohen sot nga Dubai drejt Shqipërisë, si pjesë e një operacioni të përbashkët të autoriteteve shqiptare me ato ndërkombëtare.
Të tre këta persona cilësohen si bashkëpunëtorë të ngushtë të të shumëkërkuarit Talo Çela dhe janë të akuzuar për përfshirje në ngjarje të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe strehim të një personi në kërkim ndërkombëtar.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme:
- Ervis Daka akuzohet se ka informuar autorët që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., duke u treguar lëvizjet e tij. Ai gjithashtu ka siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e shtetasit A. S., si dhe ka strehuar, transportuar dhe ndihmuar Talo Çelën të fshihej nga drejtësia.
- Maksim Koçi akuzohet për përfshirje në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A., si dhe për sigurimin e mjeteve dhe kushteve për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. Ai gjithashtu ka ndihmuar Talo Çelën në fshehjen dhe qëndrimin e tij të paligjshëm.
- Ado Xhika, për rreth dy vite, dyshohet se ka ndihmuar Talo Çelën duke i siguruar strehim dhe kushte jetese, si dhe ka ndërmjetësuar një takim me një gazetar me qëllim intervistimin e të kërkuarit.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale:
A. Xh. alias A. C. alias E. C., i akuzuar nga GjKKO-ja, se në kuadër të organizatës kriminale, ka përkrahur një shtetas të shumëkërkuar;
E. D., i akuzuar nga GjKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që ka planifikuar vrasje dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar;
M. K., i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe sigurim të mjeteve për të kryer vrasje, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, si dhe si përkrahës i një shtetasi të shumëkërkuar.
Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.