Policia ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen në Durrës, ku mbrëmjen e së martës u gjet një sasi eksplozivi në zonën e Velierës. Forcat xheniere kryen mëngjesin e sotëm shpërthimin e komanduar të lëndës plasëse, pasi zona u mbajt e rrethuar për orë të tëra.
Burimet policore bëjnë me dije se eksplozivi ishte lidhur me një celular, i fiksuar me natriban.
Njoftimi për praninë e lëndës plasëse në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera”, u mor rreth orës 22:30.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe vendosi perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s ndërhyri për të çaktivizuar dhe shpërthyer në mënyrë të kontrolluar lëndën plasëse.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Më datë 20.05.2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në vendin e quajtur “Veliera”, është konstatuar një pako me lëndë të dyshuar plasëse.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë shkuan në adresën e dhënë dhe vendosën perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia antieksploziv e RENEA-s kreu veprimet për çaktivizimin e pakos me lëndë plasëse që ishte lidhur me një celular të ngjitur me natriban.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.