Eksperti i naftës, Eduard Elezi ka bërë me dije një rast kërcënimi ndaj familjes së tij, që ai e lidh drejtpërdrejt me deklaratat dhe akuzat që ai ka bërë publikisht në lidhje me akuzimet e Belinda Ballukut në sektorin energjitik, teksa ajo mbante postin e ministres së Infrastrukturës e Energjisë.
I ftuar në News24, për të folur për çmimet e naftës, ai u ndal te kërcënimi, teksa tha se pas një interviste që ka dhënë për abuzimet e ish zv kryeministres, ai tha se një person kishte ndaluar gruan e tij duke i thënë që t’i thoshte atij të mbyllte gojën dhe të mos fliste nëpër media.
Ai shtoi se ngjarja ka ndodhur në zonën e digës së Liqenit Artificial në Tiranë, ku bashkëshortes së tij i është thënë mesazhi kërcënues. Eksperti shtoi se ka bërë menjëherë kallëzim në polici, por çështja ishte mbyllur pas dy javësh nga prokuroria.
“Dua të denoncoj që i ka ndodhur familjes time. Para disa kohësh kam qenë në një intervistë këtu në News24, ku jam prononcuar në lidhje me vjedhjet në sektorin e energjisë elektrike, me abuzimet që bënte ministrja Balluku, ku flitet për qindra milionë euro abuzime. Më është kërcënuar familja, nusja. Pas intervistës, nusja ime ka marrë kërcënime duke i thënë që ‘mbylli gojën burrin tënd që të mos flasë nëpër media’.
I ka dalë përpara në rrugë dhe ka thënë që të mbyllë gojën dhe të mos flasë nëpër media në lidhje me abuzimet e Ballukut. Është bërë bërë denoncimi në polici dhe Prokuroria pas dy javësh ka mbyllur hetimet pa hetuar asnjë gjë. Nuk jam thirrur unë, personat në vendngjarje nuk është parë asnjë kamerë. Kjo ka ndodhur te diga e liqenit dhe është bërë denoncimi, ishte e shqetësuar”, theksoi eksperti.


