Ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut përshëndetën fillimin e gjyqit për gjenocid kundër Izraelit që u iniciua nga Afrika e Jugut përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, transmeton Anadolu.
Çdo vendim që merr GJND-ja për masat e përkohshme duhet të respektohet dhe zbatohet nga palët në mosmarrëveshje, theksuan ekspertët në një deklaratë.
“Vendimet e GJND-së janë përfundimtare, detyruese dhe nuk i nënshtrohen ankesës. Respektimi i çdo urdhri që mund të marrë Gjykata nga palët e përfshira është imperativ për mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve dhe forcimin e epërsisë së ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.
Duke përshëndetur Afrikën e Jugut për sjelljen e çështjes në GJND “në një kohë kur të drejtat e palestinezëve në Gaza po shkelen me pandëshkueshmëri”, ekspertët u bënë thirrje të gjitha shteteve të bashkëpunojnë me gjykatën.
Ekspertët mirëpritën gjithashtu deklaratat mbështetëse nga shumë shtete për veprimin e Afrikës së Jugut për sjelljen e çështjes në gjykatë, si dhe qëndrimin parimor të mbajtur nga individë dhe organizata në botë që kanë shprehur mbështetje.
Seancat dëgjimore publike për gjyqin e gjenocidit kundër Izraelit filluan sot në GJND në Hagë të Holandës.
Në ditën e parë të gjyqit, Afrika e Jugut paraqiti prova të forta në çështjen që ngriti më 29 dhjetor, duke akuzuar Izraelin për gjenocid dhe shkelje të Konventës së OKB-së për Gjenocidin të vitit 1948 me veprimet e tij në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.
Pala afrikano-jugore po kërkon urdhër nga gjykata e lartë e OKB-së për të ndalur sulmin ushtarak të Izraelit në Gaza, i cili ka vazhduar për më shumë se tre muaj, me numrin e të vdekurve që është rritur në mbi 23.300.
Dokumenti prej 84 faqesh nga Afrika e Jugut akuzon Izraelin për akte dhe shpërfillje “në karakter gjenocidal, pasi ato janë kryer me qëllimin specifik … për të shkatërruar palestinezët në Gaza si pjesë e grupit më të gjerë kombëtar, racor dhe etnik palestinez”.
Ai thekson se aktet gjenocidale të Izraelit përfshijnë vrasjen e palestinezëve, duke u shkaktuar atyre dëmtime të rënda trupore dhe mendore, dëbim masiv nga shtëpitë dhe zhvendosje, vendosjen e masave që synojnë të parandalojnë lindjet e palestinezëve dhe privimin nga aksesi në ushqim, ujë, strehim, kanalizime dhe ndihmë mjekësore të nevojshme.
Seanca dëgjimore e sotme do të pasohet nga argumentet mbrojtëse të Izraelit të nesërmen.