Rexhep Llacaj, një efektiv me 25 vite shërbim në policinë rrugore të Vlorës, ka ngritur akuza të rënda ndaj ish-shefit të qarkullimit rrugor, Ardian Isufi, i njohur së fundmi për dhunën ndaj një kamarieri 18-vjeçar. Llacaj pretendon se Isufi ka fshehur provat e një aksidenti të ndodhur në janar 2021, ku bashkëshortja e tij u godit nga një makinë dhe mbeti e paralizuar.
Ngjarja ndodhi më 24 janar 2021, kur gruaja dhe tre fëmijët e mitur po kalonin rrugën dhe u përplasën nga një automjet.
Llacaj, me një karrierë 25-vjeçare në policinë rrugore të Vlorës, ka deklaruar se Ardian Isufi, i cili në atë kohë ishte OPGJ i ngjarjes, ndikoi në fshehjen e provave.
“Në datën 24 Janar të vitit 2021 bashkëshortja dhe tre fëmijët e mitur po kalonin rrugën dhe në atë moment vjen një automjet i cili e merr përpara bashkëshorten dhe traumatizon fëmijët. Bashkëshortja qëndroi në koma për një kohë të gjatë, ndërsa sot është e paralizuar dhe fëmijët janë traumatizuar.
Kur kam shkuar pas disa ditësh për të kërkuar pamjet nëpër biznese, mu tha se mos u mundo kot se ngjarjen e kanë fshehur, kanë ardhur efektivë të tjerë që kishin ardhur më përpara dhe fshirë”, thotë Llacaj për gazetarin e News24, Enrik Mehmeti.
Ai thotë se kur ishte vartës i Ardian Isufit, në kohën kur ishte shef i qarkullimit rrugor të qytetit të Vlorës, i kërkoi atij të zbardhej ngjarja e aksidentit të 2021, por më pas Isufi e ka larguar nga policia rrugore.
Llacaj i cili e akuzon Isufin si manipulator të ngjarjeve, i bën thirrje prokurorisë që të rihapë dosjen e bashkëshortes së tij dhe jo vetëm.