Një 48-vjeçare nga fshati Bujan i Tropojës rezulton e zhdukur që prej datës 22 korrik, ndërsa kërkimet e policisë deri më tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Gruaja është raportuar e larguar nga banesa dhe që prej asaj dite nuk është parë më.
Sipas burimeve policore, dyshohet se zhdukja lidhet me dhunën e ushtruar ndaj saj nga bashkëshorti, 58-vjeçari Imer Shpata, i cili u arrestua më 26 korrik, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes.
Policia e Tropojës dhe strukturat hetimore vijojnë kërkimet në terren, ndërsa nuk përjashtohet as pista e një krimi të mundshëm. Deri tani, nuk ka asnjë gjurmë që të çojë në lokalizimin e 48-vjeçares.