ISIS, apo ajo çfarë mbetet nga Shteti Islamik në Siri e Irak, ende nuk ka dalë me ndonjë deklaratë mbi vdekjen e liderit të tij Abu Bakr al-Bagdadi, që hodhi veten në erë gjatë një sulmi nga forcat amerikane në veri të Sirisë të shtunën.
Shumë po flitet tani mbi pasardhësin e mundshëm të tij. Presidenti Donald Trump shkroi në Twitter të martën se edhe “zëvendësuesi numër një i Abu Bakr al-Bagdadi është eliminuar nga trupat amerikane”.
Trump shtoi: “Me shumë mundësi do të kishte zënë vendin e parë – por tani, edhe ai është i vdekur”.
Një zyrtar amerikan i tha CNN se “Presidenti po i referohej zëdhënësit të ISIS, Abu Hasan al-Muhajir” – i cili u përshkrua si “lloji i një numri dy” pas al Baghdadit. Ai u vra në një pjesë tjetër të Sirisë veriore sesa aty ku vdiq Bagdadi, sipas Forcave Demokratike Siriane. Por ndërsa al-Muhajir ishte një figurë e rëndësishme në përpjekjen për propagandimin e ISIS, disa analistë besojnë se një burrë tjetër – i cili ka të paktën tre pseudonime – është pasardhësi i mundshëm i shefit te ISIS-it.
Disa dokumente të brendshme të grupit i referohen atij si Al-Haxh Abdullah, një dijetar religjoz mbi kokën e të cilit Departamenti i Shtetit ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.
AFP, që arriti të hynte në një burg në Sirinë veriore, ku forcat kurde mbajnë nën kontroll ish xhihadiste vendas e të huaj, solli dëshmi të njerëzve që tregonin pendim.
Por një ekip i CNN-it që ka arritur dhe ai të shohë nga afër gjendjen e disa të burgosurve, thotë se një pjesë e madhe e tyre i mbeten besnike organizatës së terrorit dhe sfidues ndaj perëndimit.