Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, ka ushtruar sot të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ajo votoi në qendrën e vendosur në shkollën “Edit Durham” në Tiranë, e shoqëruar nga nëna e saj, Fatime Kryemadhi, dhe djali.
E para që hodhi votën ishte nëna e saj, pasuar nga Kryemadhi dhe më pas i biri. Megjithëse nuk është kandidate për deputete në këto zgjedhje, Monika Kryemadhi ka qenë aktive gjatë fushatës, duke dhënë mbështetjen e saj për ish-bashkëshortin Ilir Meta, i cili ndodhet aktualisht në qeli.
Pas votimit, Kryemadhi dha një prononcim për mediat, ku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të votojnë. Ajo theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, duke e cilësuar votën si mjetin e vetëm për të shpëtuar demokracinë.
“I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të shkojnë të votojnë sepse në fund të ditës indiferenca është vrasje e demokracisë, më ka thënë Era. E vetmja mënyrë për ta shpëtuar këtë demokraci të brishtë është të shkojnë të votojnë dhe kush do ndryshimin, të japë ndryshimin”, tha Kryemadhi.
Gjatë prononcimit, pranë saj ishin të pranishme edhe vajzat e saj me Ilir Metën, Bora dhe Era.