Martina Carbonaro, një 14-vjeçare italiane e zhdukur dy ditë më parë në Afragola, në zonën e Napolit, është gjetur e vdekur.
Trupi i adoleshentes u gjet nga karabinierët pak larg shtëpisë së vajzës, në një ndërtesë të rrënuar pranë ish-stadiumit “Moccia”. Sipas mediave italiane, viktima ishte fshehur nga vrasësi nën një dyshek.
Si autor i krimit u arrestua ish-i dashuri 18-vjeçar, Alessio Tucci, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe fshehje të një kufome.
Gjatë marrjes në pyetje, ai rrëfeu se kishte vrarë Martinën dhe më pas kishte fshehur trupin e saj.
Raportohet se 18-vjeçari i ka shkaktuar vdekjen duke e goditur në kokë disa herë me një gur. Motivi i krimit dyshohet se ishte ndarja e tyre. 14-vjeçarja e kishte dhënë fund marrëdhënies disa ditë para vrasjes dhe ai nuk mund ta pranonte ndarjen.
Ishin pamjet filmike në kamerat e zonës që çuan në zbardhjen e ngjarjes, ku u rindërtuan lëvizjet e fundit të viktimës dhe u identifikua autori.
Krimi besohet se ka ndodhur në afërsi ose brenda ndërtesës ku u gjet trupi. Martina raportohet se nuk donte të rikthehej me ish të dashurin, por do të kishte pranuar të takohej me ish-të dashurin e saj në të njëjtin vend ku takoheshin zakonisht kur ishin bashkë.
Në kulmin e një debati, ai dyshohet se e goditi vajzën me gur dhe e vrau. Pas lajmit për vdekjen e vajzës së saj, nëna e 14-vjeçares shkroi në rrjetet sociale: “Kushdo që të ka lënduar do të paguajë”
Ajo kishte raportuar zhdukjen e vajzës së saj mbërmjen midis 27 dhe 27 majit, duke i shpjeguar policisë se Martina i kishte shkruar se po dilte nga shtëpia për t’u takuar me një shoqe për akullore.
Më vonë, megjithatë, kur ajo u përpoq ta telefononte, lidhja u ndërpre. Nëna më vonë raportoi se Martina ishte takuar me ish-të dashurin e saj.