Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Elbasan, ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje në ujërat e lumit Shkumbin.
Burime bëjnë me dije se rreth orës 19:00 banorët kanë lajmëruar policinë pas identifikimit të një trupi të pajetë në ujërat e lumit.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa janë njoftuar edhe palombarët.
Për shkak të errësirës, ata nuk kanë mundur të ndërhyjnë, por në operacion janë përfshirë 7 efektivë zjarrfikës dhe 10 efektivë policie, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga lumi.
Viktima është një grua rreth 40 vjeçe, ende e paidentifikuar, por nga të dhënat e para dyshohet se ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Policia po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.


