Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja në Vlorë, ku 39-vjeçari Fisnik Xhaka nga Mitrovica u mbajt peng prej datës 28 Nëntor në një apartamenti.
Sipas burimeve, apartamenti luksoz ndodhej rreth 300 metra larg Komisariatit të Vlorës dhe kishte kamera sigurie ku monitoroheshin lëvizjet jashtë banesës.
Raportohet se Fisnik Xhaka kishte dalë garant që disa persona në një vend të Bashkimit Europian të merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro.
Por, pasi pagesa nuk është kryer, ai është marrë peng dhe tre personat i kanë kërkuar shumën për të cilën kishte dalë garant.
“Sipas burimeve ka dalë garant për një shumë prej 70 mijë euro lidhur me një sasi lënde narkotike që do të merrej në një vend të BE. Duke qenë se shuma monetare nuk është dhënë, pengmarrësit ia kanë kërkuar këtij të fundit. Ai ka kontaktuar me familjarët dhe ka qenë motra e tij, e cila ka vënë në dijeni autoritetet për gjetjen e të vëllait”,m deklaroi gazetari Enrik Mehmeti.
39-vjeçari nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë dhe të tregojë arsyen pse i kërkuan 70 mijë euro.
Pasi ka marrë ndihmë mjekësore është larguar nga spitali, ndërsa mësohet se ka pasur shenja dhune.
Ai po qëndron ende në qytetin e Vlorës, ndërsa personat që e kanë marrë peng kanë deklaruar se i kishte një shumë prej 70 mijë euro borxh.
Arrestimet
Blutë vendosën në pranga mbrëmjen e së enjtes (11 Dhjetor) shtetasit Julian Zogaj, 25 vjeç, Orest Çorapaj, 18 vjeç dhe Vilson Agaj, 35 vjeç, të tre banues në Vlorë, të akuzuar për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
Nga hetimet ka rezultuar se tre të rinjtë rrëmbyen 39-vjeçarin më 28 nëntor dhe e mbajtën peng në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”.
Ata raportohet se e kanë dhunuar fizikisht duke i kërkuar shumën prej 70.000 eurosh për lirimin e tij.
Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i 39-vjeçarit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të Julian Zogaj, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Njoftimi:
Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hostage”.
Mbajtën peng dhe dhunuan një shtetas nga Kosova, me qëllim përfitimin e 70 000 eurove, arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, pas marrjes së informacionit nga familjarët se një pjesëtar i familjes së tyre mbahej peng në një apartament në qytetin e Vlorës, organizuan menjëherë punën për lokalizimin e banesës, kapjen e autorëve dhe lirimin e shtetasit të mbajtur peng.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Hostage”, u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve:
• J. Z., 25 vjeç, O. Ç., 18 vjeç dhe V. A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në një apartament në rrugën “Janaq Kilica”, lagjja “Osman Haxhiu”, kishin rrëmbyer dhe mbajtur peng që prej datës 28.11.2025 shtetasin F. Xh., 39 vjeç, banues në Mitrovicë, Kosovë, duke e dhunuar fizikisht dhe duke i kërkuar shumën prej 70 000 eurosh për lirimin e tij.
Gjatë operacionit policor u bë e mundur lirimi i menjëhershëm i shtetasit të mbajtur peng, i cili ka marrë dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në posedim të shtetasit J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Rrëmbim ose mbajtja peng e personit”, e kryer në bashkëpunim,
“Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.


